Business Network Albania Bëhu pjesë
← Të gjitha artikujt
20 nëntor 2026

BNA me mbi 300 pjesëmarrës: Vasil Naçi, folës special kryesor në konferencën e biznesit në Tiranë

BNA me mbi 300 pjesëmarrës: Vasil Naçi, folës special kryesor në konferencën e biznesit në Tiranë

Business Network Albania (BNA) mblodhi më 14 nëntor 323 sipërmarrës, investitorë, drejtues kompanish dhe profesionistë nga 12 shtete dhe 15 sektorë të ndryshëm në Tirana Marriott Hotel, në një konferencë që shënoi njëkohësisht një vit nga krijimi i organizatës. Një ditë e mbushur me diskutime, ide, networking, mundësi bashkëpunimi dhe prezantimin e platformës së përditësuar digjitale të BNA-së.

Ajo që nisi një vit më parë si një iniciativë për të afruar komunitetin shqiptar të biznesit, tashmë po shndërrohet në një rrjet me ambicie ndërkombëtare, që operon si përmes aktiviteteve fizike, ashtu edhe në hapësirën digjitale.

Më 14 nëntor, Business Network Albania festoi njëvjetorin e krijimit me një konferencë në Tirana Marriott Hotel, duke mbledhur pjesëmarrës nga bota e biznesit, sipërmarrjes dhe investimeve.

Interesi për konferencën ishte i lartë deri në momentet e fundit, duke bërë që salla të mbushej plot. Mes të pranishmëve ishin edhe emra të njohur të sipërmarrjes dhe jetës publike shqiptare, përfshirë Alketa Vejsiun dhe Përparim Kalon.

Pjesëmarrësit përfaqësonin 12 shtete dhe 15 sektorë të ndryshëm, duke ardhur jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, diaspora dhe tregje të tjera ndërkombëtare. Për të mundësuar përfshirjen e të pranishmëve ndërkombëtarë, konferenca ofroi gjithashtu përkthim simultan në gjuhën angleze.

Larmishmëria e audiencës dhe pjesëmarrja përtej kufijve dëshmuan vizionin e BNA-së për të ndërtuar një rrjet që lidh sipërmarrësit shqiptarë kudo që ndodhen, duke krijuar ura bashkëpunimi mes tregjeve, industrive dhe brezave të ndryshëm të biznesit.

Hapja zyrtare dhe vizioni për të ardhmen e BNA-së

Konferenca u hap zyrtarisht nga Ruzvelt Shehu, Themelues dhe CEO i Business Network Albania, i cili prezantoi programin e ditës, objektivat e organizatës dhe drejtimin strategjik të saj për periudhën në vijim.

Ruzvelt Shehu, Themelues dhe CEO i Business Network Albania, gjatë hapjes së konferencës.
Ruzvelt Shehu, Themelues dhe CEO i Business Network Albania, gjatë hapjes së konferencës.

Gjatë fjalës së hapjes, ai ndau me të pranishmit disa nga zhvillimet dhe risitë që pritet të shoqërojnë kapitullin e ardhshëm të BNA-së, me fokus te zgjerimi ndërkombëtar, forcimi i Klubeve të Biznesit dhe krijimi i më shumë mundësive konkrete për anëtarët e komunitetit.

Në qendër të vizionit të prezantuar ishte zhvillimi i BNA-së nga një rrjet që bashkon sipërmarrësit në konferenca dhe evente, në një ekosistem të qëndrueshëm që nxit bashkëpunimin, shkëmbimin e mundësive dhe rritjen e bizneseve gjatë gjithë vitit.

Tre folës kryesorë dhe pesë diskutime mbi të ardhmen e biznesit dhe sfidat aktuale

Në qendër të konferencës ishin tre folësit kryesorë: Vasil Naçi, President dhe CEO i AGNA Group, si folës special kryesor; Linda Shomo, Themeluese dhe CEO e EasyPay; dhe Ermal Mamaqi, sipërmarrës, trajner dhe drejtues i disa kompanive.

Përmes prezantimeve të tyre, ata sollën perspektiva të ndryshme mbi sipërmarrjen, zhvillimin e biznesit, lidershipin dhe rëndësinë e vizionit, vendimmarrjes dhe zhvillimit personal në ndërtimin e suksesit afatgjatë.

Vasil Naçi, President dhe CEO i AGNA Group, folës special kryesor, përpara një salle të mbushur.
Vasil Naçi, President dhe CEO i AGNA Group, folës special kryesor, përpara një salle të mbushur.
Linda Shomo, Themeluese dhe CEO e EasyPay, gjatë prezantimit të saj.
Linda Shomo, Themeluese dhe CEO e EasyPay, gjatë prezantimit të saj.
Ermal Mamaqi gjatë prezantimit të tij si një nga folësit kryesorë.
Ermal Mamaqi gjatë prezantimit të tij si një nga folësit kryesorë.

Programi u pasurua nga pesë diskutime tematike, të organizuara rreth disa prej çështjeve më aktuale për ekonominë dhe sipërmarrjen shqiptare.

Investimet ishin një prej temave me interes të veçantë, me fokus te mundësitë konkrete dhe perspektivat e zhvillimit. Turizmi u trajtua si një prej sektorëve me potencial të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, ndërsa fintech dhe pagesat digjitale sollën në vëmendje transformimin që teknologjia po sjell në mënyrën e të bërit biznes.

Një hapësirë e veçantë iu kushtua inteligjencës artificiale, sfidave dhe mundësive që ajo krijon për kompanitë, si dhe sektorit të ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe infrastrukturës, të cilët vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe investimet.

Diskutimet krijuan hapësirë për shkëmbim eksperiencash, idesh konkrete dhe perspektivash mes profesionistëve, investitorëve dhe drejtuesve që përfaqësojnë industri të ndryshme.

Konferenca u moderua nga Klegia Troksi, tashmë një mike besnike e BNA-së, ndërsa drejtimi i panelit kryesor, me temë “Si të shkojmë nga tregu lokal në atë global”, iu besua Emir Allen, Drejtorit të Eventeve, i cili ka qenë pjesë e organizatës që prej fillimit të rrugëtimit të saj.

Paneli “Si të shkojmë nga tregu lokal në atë global”, i drejtuar nga Emir Allen.
Paneli “Si të shkojmë nga tregu lokal në atë global”, i drejtuar nga Emir Allen.

Platforma digjitale: nga njohjet te bashkëpunimet konkrete, 365 ditë në vit

Një nga momentet më të rëndësishme të konferencës ishte prezantimi i platformës digjitale të Business Network Albania nga Hudi Shehu, Themelues dhe Kryetar i Bordit të organizatës.

Platforma përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e BNA-së dhe në realizimin e ambicies për ta bërë rrjetëzimin më të vazhdueshëm, më inteligjent dhe më të aksesueshëm. Synimi është që lidhjet e krijuara gjatë konferencave dhe takimeve të mos mbeten vetëm kontakte të momentit, por të shndërrohen në mundësi bashkëpunimi edhe pas përfundimit të eventeve.

Hudi Shehu, Themelues dhe Kryetar i Bordit të BNA-së, gjatë prezantimit të platformës digjitale.
Hudi Shehu, Themelues dhe Kryetar i Bordit të BNA-së, gjatë prezantimit të platformës digjitale.

“Platforma digjitale e BNA-së synon të ndryshojë mënyrën se si sipërmarrësit shqiptarë lidhen dhe bashkëpunojnë, duke krijuar një ekosistem biznesi që funksionon 365 ditë në vit, përtej konferencave dhe kufijve gjeografikë. Një nga funksionalitetet kryesore është ‘Ndërlidhja’, e cila përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar përputhshmërinë mes anëtarëve, bazuar në profilet dhe interesat e tyre të biznesit.

Një tjetër element i rëndësishëm janë Klubet e Biznesit në shtete të ndryshme, ku anëtarët mund të shkëmbejnë mundësi, të prezantojnë nevojat e tyre dhe të zhvillojnë takime fizike apo virtuale. Ato synojnë të forcojnë bashkëpunimin mes anëtarëve në Shqipëri, Kosovë, Evropë dhe më gjerë.

Ndërlidhjet e personalizuara, takimet B2B dhe mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar janë ndër funksionalitetet ku presim interesin dhe angazhimin më të madh të komunitetit. Ambicia jonë është që çdo lidhje e krijuar përmes BNA-së të ketë potencialin të shndërrohet në një partneritet, investim apo mundësi reale për rritjen e biznesit”, u shpreh Hudi Shehu.

Me këtë zhvillim, BNA synon të ndërtojë një komunitet që nuk kufizohet në organizimin e konferencave, por krijon vazhdimësi në marrëdhëniet profesionale dhe mundësi të reja për zhvillim, investime dhe ndërkombëtarizimin e bizneseve shqiptare.

Partneritetet që mbështesin zhvillimin e komunitetit

Një kontribut të rëndësishëm në realizimin e konferencës dhanë edhe partnerët dhe mbështetësit e Business Network Albania, të cilët ndanë vizionin e organizatës për të fuqizuar sipërmarrjen dhe bashkëpunimin mes bizneseve shqiptare.

Një falënderim i veçantë shkon për Nexyze, partner i sesionit kushtuar inteligjencës artificiale, si dhe për Wellness Albania Clinic, Merja Bioprodukte, AGNA Group, Çobo Winery, Business Mag Albania, Medium Zë, Sillage dhe Klea Huta Summer Camp, për besimin dhe mbështetjen e tyre në realizimin e këtij eventi.

Për BNA-në, këto partneritete përfaqësojnë më shumë sesa mbështetjen e një konference. Ato janë dëshmi e vlerës së bashkëpunimit mes bizneseve dhe e angazhimit të përbashkët për të ndërtuar një komunitet sipërmarrës më të fortë, më të lidhur dhe me perspektivë ndërkombëtare.

Një vit nga Londra në Berlin dhe Tiranë. Ku do të jetë ndalesa e radhës?

Konferenca e 14 nëntorit shënoi jo vetëm një përvjetor, por edhe një moment reflektimi mbi rrugëtimin e deritanishëm të BNA-së.

Gjatë vitit të parë, organizata ka zhvilluar aktivitete dhe konferenca në qytete të rëndësishme evropiane, përfshirë Londrën dhe Berlinin, duke afruar sipërmarrës, investitorë dhe profesionistë shqiptarë nga vende të ndryshme.

Në këtë periudhë, BNA ka zgjeruar komunitetin e saj dhe ka hedhur themelet e një modeli që kombinon aktivitetet fizike me teknologjinë dhe bashkëpunimin digjital. Ambicia e Business Network Albania është të krijojë një urë të qëndrueshme mes bizneseve shqiptare brenda vendit dhe diasporës, duke nxitur investimet, partneritetet, shkëmbimin e eksperiencës ndërkombëtare dhe zgjerimin e kompanive shqiptare në tregje të reja.

Për BNA-në, konferenca e Tiranës nuk ishte thjesht një festim i arritjeve të vitit të parë, por edhe fillimi i një kapitulli të ri, ku fokusi do të jetë gjithnjë e më shumë te bashkëpunimet konkrete, investimet dhe ndërtimi i një komuniteti shqiptar biznesi me ndikim ndërkombëtar.

Por, nëse Londra, Berlini dhe Tirana janë tashmë pjesë e hartës së BNA-së, një pyetje mbetet e hapur:

Ku do të mbahet konferenca e ardhshme e Business Network Albania?

Artikuj të tjerë
30 qershor 2026

BNA shënoi një tjetër sukses me konferencën e saj në Berlin.

Lexo artikullin →
4 prill 2026

Konferenca Ekonomike Londër 2026 - Bashkëpunim ndërkombëtar në Britaninë e Madhe

Lexo artikullin →
9 shkurt 2026

Pasqyra e Biznesit Shqiptar 2025–2026: Nga Mbijetesa te Rritja me Inteligjencë

Lexo artikullin →

Gati të bashkohesh në ekosistemin tonë?

Mbi 240 sipërmarrës dhe investitorë në mbarë botën kanë zgjedhur të jenë pjesë e BNA.

Bëhu pjesë e BNA
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Business Network Albania është organizatë jofitimprurëse me anëtarësi, themeluar sipas vendimit nr. 7537 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, datë 3 prill 2025.
Konceptuar dhe zhvilluar nga Postjer Group
LinkedInInstagramYouTubeFacebook