BNA takim zyrtar me Ministrin e Biznesit dhe Punësimit të Skocisë
Nov 11, 2025

Në kuadër të vizitës zyrtare në Skoci, Business Network Albania (BNA) ndërmori një hap të rëndësishëm strategjik për zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe përforcimin e rolit të diasporës ekonomike shqiptare.
Gjatë vizitës, Themeluesi dhe Kryetari, Z. Hudi Shehu, u prit në një takim zyrtar nga Z. Richard Lochhead, Ministër për Biznesin dhe Punësimin e Skocisë.
Biseda u fokusua në mundësitë për ndërtimin e urave bashkëpunimi ndërmjet bizneseve shqiptare dhe skoceze, me synimin për të ndihmuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik përmes inovacionit, inteligjencës artificiale (AI) dhe ekonomisë së gjelbër - fusha ku Skocia ka arritur rezultate të njohura ndërkombëtarisht.
“Takimi me Ministrin Lochhead përfaqëson një moment kyç për BNA-në. Ai shprehu mbështetje të qartë për misionin tonë për të lidhur bizneset dhe investitorët shqiptarë me ekosistemet ndërkombëtare, si dhe për të fuqizuar diasporën ekonomike shqiptare që vepron në Skoci dhe më gjerë,”
- Hudi Shehu, Themelues dhe Krytar i Bordit, Business Network Albania

Në vijim të këtij takimi, BNA po punon për të identifikuar sipërmarrës dhe drejtues ekzekutivë shqiptarë në Skoci, si dhe biznese skoceze të interesuara për bashkëpunim me Shqipërinë.
Këto hapa janë pjesë e vizionit të organizatës për të krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi ekonomik, investimesh dhe transferimi njohurish, duke forcuar rolin e diasporës shqiptare si një forcë zhvillimi.
BNA do të vazhdojë takimet me përfaqësues të komunitetit shqiptar, pronarë biznesesh dhe profesionistë në Skoci, me synimin për të strukturuar një platformë bashkëpunimi dhe për të ndërtuar një rrjet të verifikuar partnerësh që përfaqëson më të mirën e sipërmarrjes shqiptare në diasporë.
Ky hap përkon me strategjinë e BNA për të shndërruar lidhjet në marrëveshje reale dhe për të ndërtuar besim përmes transparencës, standardeve ndërkombëtare dhe rezultateve të matshme.