Jun 30, 2026

Berlin, 27 Qershor 2026 – Business Network Albania (BNA) organizoi me sukses konferencën e saj të radhës në Hotel Bristol Berlin, duke mbledhur më shumë se 162 pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, trevat shqipfolëse dhe diaspora shqiptare në mbarë Europën.
Sipërmarrës, profesionistë, investitorë, përfaqësues institucionesh dhe ekspertë nga vende si Gjermania, Zvicra, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar etj. u bënë pjesë e një dite të dedikuar bashkëpunimit, rrjetëzimit dhe krijimit të mundësive të reja.

Edhe pse Berlini përjetoi një nga ditët më të nxehta të verës, atmosfera brenda konferencës ishte po aq e ngrohtë dhe solare sa edhe moti jashtë. Energjia e pjesëmarrësve, diskutimet e hapura dhe dëshira për të krijuar lidhje të reja bënë që salla të mbetej e mbushur deri në momentet e fundit të programit, ndërsa sesionet e rrjetëzimit vazhduan edhe pas përfundimit zyrtar të konferencës.

Konferenca u moderua nga Klegia Troksi, e cila udhëhoqi programin gjatë gjithë ditës, duke krijuar një ritëm dinamik mes prezantimeve, paneleve dhe diskutimeve.

Eventi nisi me fjalimin nga Ruzvelt Shehu, CEO i Business Network Albania, i cili prezantoi vizionin dhe misionin e organizatës, duke theksuar se BNA po ndërton një ekosistem që lidh shqiptarët kudo që ndodhen përmes besimit, bashkëpunimit dhe teknologjisë.

Në fjalën e saj zyrtare, Olta Manjani, Zëvendësministre e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, vlerësoi rëndësinë e diasporës shqiptare si një partner strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit, shpalosi shifrat e fundit në lidhje me bizneset dhe investimet në Shqipëri dhe nënvizoi nevojën për krijimin e urave të qëndrueshme mes institucioneve dhe profesionistëve shqiptarë në botë. 

Një moment i veçantë i konferencës ishte pjesëmarrja e tre ambasadorëve shqiptarë në Gjermani: Adia Sakiqi, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë, Faruk Ajeti, Ambasador i Republikës së Kosovës, dhe Ylber Sela, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut, të quajturit edhe “Tre Muskëtierët’’ që përfaqësojnë trevat shqipfolëse më së miri. Në adresimet e tyre ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, fuqinë e diasporës dhe rolin që komunitetet shqiptare luajnë aktualisht në promovimin e zhvillimit ekonomik dhe diplomacisë ekonomike.

Diaspora si motor zhvillimi

Paneli i parë, i moderuar nga gazetarja Vjollca Hajdari, trajtoi temën "Roli i Diasporës Shqiptare në Europë". Në diskutim morën pjesë Florent Hasani, President i Swiss Albanian Network, Lirim Krasniqi, Co-Executive Director i GERMIN, dhe Alba Mustafaj, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi mënyrat se si diaspora mund të kontribuojë përtej remitancave, duke sjellë dije, investime, rrjete profesionale dhe bashkëpunime afatgjata.

Platforma që lidh bizneset shqiptare

Një nga momentet më të rëndësishme të ditës ishte demonstrimi i platformës digjitale të Business Network Albania nga Hudi Shehu, Kryetar i Bordit të BNA. Platforma u prezantua si infrastruktura kryesore që do të mundësojë lidhjen e profesionistëve, bizneseve dhe investitorëve shqiptarë në nivel global përmes ndërlidhjes të verifikuar, rrjetëzimit të strukturuar dhe krijimit të partneriteteve të reja. Platforma është funksionale, dhe përmes saj janë shënuar tashmë edhe sukseset e para.
Kushdo që bëhet anëtar i BNA,si edhe ata që blenë biletën e eventit kanë akses në platformë dhe mund të fillojë ngavigimin. 

Sesione të dedikuara sipas industrive

Pas një sesioni nga Julia Hoxha, e cila mbajti një prezantim mbi temën "Të ndërtosh përtej kufijve me Inteligjencën Artificiale", duke sjellë shembuj konkretë mbi mënyrën se si AI po transformon mënyrën e të bërit biznes, konferenca vijoi me katër sesione paralele që u fokusuan në sektorë të ndryshëm: 

Në sesionin "Shqiptarët në Industrinë e Teknologjisë", Eva Gjoni dhe Aldor Nini diskutuan mbi inovacionin, startup-et dhe mundësitë që ofron transformimi digjital për profesionistët shqiptarë.

Në sesionin "Ndërtimi, Pasuritë e Paluajtshme dhe Hospitality", Rudina Murati dhe Sadri Zemaj ndanë eksperiencat e tyre mbi zhvillimet në tregun europian të investimeve dhe potencialin që ofrojnë trojet shqiptare.

Në sallën tjetër, Erina Barth dhe Jonida Bou Dib trajtuan temën "Profesionistët Shqiptarë në Sektorin Global", duke diskutuar zhvillimin e lidershipit, transformimin organizativ dhe rëndësinë e kapitalit njerëzor në ekonominë moderne.

Ndërkohë, Gent Shala dhe Genc Meraku sollën një diskutim frymëzues dhe shumë dinamik mbi temën "Kur Marka Shqiptare Flet me Botën", duke ndarë eksperienca konkrete mbi ndërtimin e markave shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe fuqinë e vlerave në biznes.

Marketingu dhe investimet në fokus

Një tjetër prezantim me interes të lartë ishte ai i Anaid Kalotit, i cili prezantoi tendencat më të fundit në marketingun digjital dhe strategjitë që bizneset duhet të ndjekin për të ndërtuar praninë e tyre në rrjetet sociale në një treg gjithnjë e më konkurrues.

Konferenca u mbyll me panelin "Investimet në Trojet Shqiptare", të moderuar nga Emir Allen, ku Ardian Hoxha, Florensa Haxhi dhe Kosove Arifaj diskutuan potencialin e investimeve në Shqipëri, Kosovë dhe rajon, sfidat aktuale dhe mundësitë që ofron bashkëpunimi me diasporën.

Një rrjet që po rritet, një konunitet që po konsolidohet

Në fjalën përmbyllëse, Aurrel Kondi, anëtar i Bordit të Business Network Albania, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, partnerët, sponsorët dhe folësit për kontributin e tyre në suksesin e konferencës. Ai theksoi se çdo event i BNA-së ndërton një gur të ri në krijimin e rrjetit më të madh të biznesit shqiptar në botë dhe njoftoi se takimi i ardhshëm i Business Network Albania do të zhvillohet në Tiranë, duke vazhduar misionin për të lidhur profesionistët dhe sipërmarrësit shqiptarë pa kufij.

Konferenca e Berlinit konfirmoi edhe një herë se Business Network Albania nuk është thjesht një seri eventesh, por një infrastrukturë në zhvillim që po krijon terrene të reja bashkëpunimi mes diasporës dhe trojeve shqiptare. Përmes kombinimit të teknologjisë, rrjetëzimit të strukturuar dhe një komuniteti në rritje të profesionistëve e sipërmarrësve, BNA po ndërton një ekosistem ku idetë, partneritetet dhe investimet mund të shndërrohen në mundësi reale për zhvillim ekonomik dhe ndikim afatgjatë.

Suksesi i këtij edicioni dhe mundësia për të bashkuar këtë rrjet elitë erdhi edhe falë mbështetjes së pakursyer të partnerëve tanë: Genti Sanierung, Tepelene, Enisa Kadrii, Agroturizëm Nivica, Magna Group, Wellness Clinic Albania, BritAlb Group, Postjer Group, Thrid, Klea Huta Summer Camp, Catalys.ai, One Bundle, GjiroCraft, Gjilpëra e Artë Fatri Shehu, Metanoia

Are you ready to join us?

Over 40 Albanian business leaders worldwide have chosen to be part of Business Network Albania.

Are you ready to join us?

Over 40 Albanian business leaders worldwide have chosen to be part of Business Network Albania.